Atletiko Madridi ka eliminuar Barcelonën në gjysmëfinalen e dytë të SuperKupës së Spanjës, duke caktuar finalen kundër Realit të Madridit, njofton “infOSport.mk”. Në një ndeshje me shumë kthesa në rezultat, të besuarit e trajnerit Diego Simeone në fund shënuan fitore 3:2, edhe pse 10 minuta para fundit të takimit, ishin “katalunasit”, ata që avansonin me rezultatin 2:1.
Ndryshe pjesa e parë u mbyll me barazim pa gola, teksa vetëm pas 60 sekondave jo të plota në pjesën e dytë, Atletiko Madridi avansoi me golin e Koke.
Barazimin Barcelonës i’a solli Lionel Messi në minutën e 51-të, ndërsa falë golit të Grizman në minutën e 62-të, të përzgjedhurit e Ernesto Valverde avansuan për herë të parë në këtë ndeshje.
Nuk vonoi shumë dhe “katalunasit” e realizuan edhe golin e tretë me anë të Zherard Pike, mirëpo i njëjti u anulua për shkak pozitës jashtë loje.
Ky gol i anuluar ktheu shpresat e futbollistëve të Atletiko Madridit, të cilët fillimisht në minutën e 81-të me anë të Alvaro Moratas nga penaltia barazuan shifrat në 2:2, teksa golin e nokautit për “katalunasit” e realizoi Anhel Korea në minutën e 86-të, transmeton “infOSport.mk”.
Kështu Atletiko Madridi caktoi finalen e madhe kundër Realit të Madridit të dielën, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Arabinë Saudite, ndërsa vlen të përmendet se është kjo hera e parë që SuperKupa e Spanjës u zhvillua në këtë format, me 4 skuadra, përfshirë këtu 3 skuadrat e para në renditje të sezonit të kaluar dhe fituesin aktual të Kupës së Mbretit.