Skënderbeu edhe përfundimisht ka hequr dorë nga pista për angazhimin e sulmuesit kërçovarë të Shkëndijës, Besart Ibraimi.
Propozimi i Shkëndijës për ta marrë nga Skënderbeu mbrojtësin Jashanica vetëm për të lënë të lirë sulmuesin Besart Ibraimi, i ka stepur drejtuesit korçarë. Për më tepër ka qenë edhe paga e lartë mujore prej 17 mijë euro, kosto vërtet e lartë për kampionatin shqiptar që i kanë ndryshuar mendjen presidentit të skuadrës korçare, Ardjan Takaj i cili bashkë me stafin e tij kishin arritur në konkluzionin se nuk ia vlen një sakrificë e tillë financiare.
Besart Ibraimi ishte një alternativë, por kushton shumë, plus që korçarëve nuk u interesonte të hynin në merkato për mbrojtës, nëse do të sakrifikonin Jashanicën.
Në këto kushte, pista e sulmuesit kërçovarë duket thuajse e mbyllur.
Besart Ibraimi me Shkëndijën ka kontratë deri në verën e vitit 2019-të, dhe pikërisht kjo ka bërë që vlera për të jetë kaq e lartë. Është ky një lajm pa dyshim i mirë për tifozët e Shkëndijës, të cilët tashmë mund të jenë të qetë, duke pasur parasysh se bomberi i tyre do të vazhdojë edhe në edicionin e ardhshëm futbollistik të tund rrjetat kundërshtare me fanellën “kuq e zi”.