Renova cakton miqësoret e para, Islami flet për rrjedhën e përgatitjeve

Renova gjatë ditës së djeshme edhe zyrtarisht nisi fazën e përgatitjeve për stinorin pranveror, ku shpresojnë të kenë më shumë fat dhe të grumbullojnë sa më shumë pikë, që janë më se të nevojshme për këtë skuadër, duke pasur parasysh se stinorin vjeshtorë e mbyllën në pozitën e parafundit, shkruan “infOSport.mk”.

Emër i ri i vjetër te skuadra nga Xhepçishti në stërvitjen e djeshme ishte Xhelil Abdulla, i cili bashkë me Nehar Sadikin, pritet të përbëjnë dyshen e fundit në mbrojtje. Megjithatë sipas asaj që në tha trajneri Bujar Islami, Abdulla nuk do të jetë përforcimi i vetëm në këtë merkato janari.

“Kemi afruar Xhelil Abdulla, ndërsa gjithashtu jemi të interesuar që në skuadër të sjellim edhe disa futbollistë të tjerë, për ti plotësuar mungesat në repartet e ndryshme. Tani jemi të fokusuar te përgatitjet që i filluam dje, që do na shërbejnë që sa më të përgatitur të presim fillimin e stinorit panveror” – u shpreh trajneri i “gjipspunuesve”, Bujar Islami, i cili foli edhe për rrjedhën e përgatitjeve: “Deri me 21 janar do të stërvitemi në Tetovë, ndërsa nga data 22 janar do të transferohemi në Ohër, ku edhe do të zhvillojmë fazën kryesore”.

Mirëpo trajneri Islami e ka më se të qartë se më të mirën nga futbollistët përveç me anë të stërvitjeve, mund ta nxjerrë edhe përmes ndeshjeve miqësore, e që tashmë skuadra “bardhekaltër” nga Tetova i ka caktuar plotë 6 të tilla.

Ndeshjen e parë “gjipspunuesit” e kanë paraparë të zhvillojnë me datë 15 janar, ku janë në bisedime e sipër me disa skuadra për të caktuar një përballje me këtë datë. Vetëm 3 ditë më pas ata do të takohen me Gostivarin, me 23 janar përballë do të kenë Labunishtin, ndërsa gjithashtu kanë paraparë të zhvillojnë edhe 3 takime tjera me datë 26 janar, 29 janar dhe 1 shkurt.

Provën gjenerale para startit të stinorit pranveror, Renova do ta ketë me datë 9 shkurt kundër Tikveshit, me të cilën skuadër ishte takuar edhe në kuadër të ndeshjeve të Kupës.

Leave a Reply