Zlatan Ibrahimoviç edhe zyrtarisht vendosi të rikthehet në “Serie A” dhe sërish të veshë fanellën e Milanit, me të cilën skuadër në vitin 2011-të ishte shpallur kampion, që njëherit ishte edhe titulli i fundit kampion për ekipin nga “San Siro”.
Sulmuesi suedez ka nënshkruar një kontratë gjashtë mujore me Milanin, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Me tu zyrtarizuar nga Milani, Ibrahimoviç ka thënë se po kthehet tek një klub që e respekton shumë dhe një qytet që e do.
“Po kthehem te klubi që respektoj jashtëzakonisht dhe te një qytet që e dua. Do të luftoj me shokët e skuadrës për të ndryshuar ecurinë e këtij sezoni dhe do të bëj çmos për të arritur objektivat”, – ka deklaruar Ibrahimoviç.
Ibrahimoviç gjatë karrierës së tij ka luajtur në shumë skuadra, ndërsa pjesën më të madhe e ka kaluar në “Serie A”, duke luajtur gjithashtu edhe për dy skuadrat tjera gjigande, Juventusin dhe Interin.
Skuadrat tjera me të cilat ka luajtur Ibrahimoviç, janë edhe Malmo, Ajaksi, Barcelona, Mançester Junajtedi dhe LA Galaksi.
Sulmuesi suedez me origjinë boshnjake kthehet në një moment të vështirë për Milanit, skuadër kjo e cila pas 17 xhirove me 21 pikë të tubuara renditet në pozitën e 11-të zhgënjyese. Në ndeshjen e fundit kampionale, “rossonerët” u mundën 5:0 në udhëtim nga Atalanta e Berat Xhimshitit.