Zlatan Ibrahimoviç ende nuk ka vendosur rreth të ardhmes së tij. E gjithë kjo ka krijuar shumë hapësira dhe punë për mediat Botërore, që thuajse çdo ditë spekulojnë me skuadrën e rradhës në karrierën e tij të bujshme.
Skuadra e fundit që ka kontaktuar suedezin është skuadra e ligës së tretë italiane, Monca, pronarë të së cilës janë Silvio Berluskoni dhe Adriano Galiani, teksa trajner është Kristian Broki, një treshe kjo e njohur e Milanit.
“Është e vërtetë se Berluskoni dhe Galiani kanë biseduar me Ibrahimoviç për transferimin e tij te Monca. Madje bisedat ishin serioze, mirëpo nuk do më shumë detaje” – ka thënë Broki.
Është e vështirë të mendohet se Ibra do të pranonte të luante në ligën e tretë italiane, ashtu që si opcion i mundshëm mbetet sërish Milani, drejtuesit e së cilës skuadër i kanë dhënë një afat deri me 25 dhjetor.