Amir Rrahmani është një hap larg Napolit. Një gjë të tillë raportoi “Sky Sport”, që shkruan se edhe vetë Rrahmani ka dhënë “ok” për këtë transferim.
Drejtuesit e Napolit thuhet se kanë nisur këtë operacion me homologët e tyre të Veronës, madje duke kërkuar në paket edhe marokenin e talentuar Sofyan Amrabat.
Këtë të fundit Verona e huazoi nga Klub Bryzh, me të drejtë blerje për 3,5 mln euro, ndërsa shifra që kërkon për ta shitur të njëjtin kap vlerën e 18-20 milion eurove. Ndërkohë sa i përket kartonit të Rrahmanit, drejtuesit e Veronës, mbrojtësin shqiptarë e vlerësojnë nga 10-12 milion euro.
Kujtojmë që për Rrahmanin, Verona investoi 2.1 milionë, duke e transferuar nga Dinamo Zagreb. Por, nëse Rrahmani kalon te Napoli në fund të sezonit, atëherë edhe skuadra kampione e Shqipërisë, Partizani do të përfitonte si palë e tretë (përveç Dinamo Zagrebit).
Në fakt, Rrahmani është formuar edhe dy vite te klubi i kuq, të cilit i takon një përqindje e vogël që mund të gjenerojë mbi 100 mijë euro në arkat e kampionëve të Shqipërisë.