Xherdan Shaqiri është i vendosur të qëndrojë te skuadra e Liverpullit, pasi së fundi ka refuzuar huazimin te Galatasaraji.
Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja turke “Sozcu Gazetesi”, që ka njoftuar se drejtuesit e Galatasarajit parimisht kishin arritur marrëveshje me Liverpullin për huazimin e Shaqirit gjatë afatit kalimtar të janarit.
“Shaqiri ka refuzuar huazimin te Galatasaraji, pasi dëshiron të mbetet te Liverpulli. Galatasaraji kishte arritur marrëveshje me Liverpoolin për huazimin e tij, me detyrim të blerjes në fund të këtij edicioni. Por Shaqiri prishi planet e Galatasarajit”, ka shkruar gazeta turke.
Shaqiri 27-vjeçar, këtë edicion ka pasur minutazhë të vogël te Liverpulli dhe vazhdimisht ka qenë i lidhur me një largim nga ekipi anglez në janar.
Ai këtë edicion ka 8 paraqitje dhe një gol në të gjitha garat me Liverpullin, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2023.