Shkëndija transferon Jashanicën e Skënderbeut!

Lazim Destani rikonstruimin e Shkëndijës e nisi nga trajneri, duke emëruar në këtë post legjendën e kësaj skuadre, Qatip Osmani, ndërsa ky i fundit revolucionin e tij te skuadra tetovare kërkon që ta nis nga mbrojtja, aty ku sezonin e fundit “kuqezinjtë” çaluan shumë, duke pësuar plotë 39 gola në 36 ndeshje, njofton ‘infOSport.mk”.

Dhe realisht për të mos hasur në probleme të këtilla edhe sezonin e ri futbollistik, Shkëndija duhet menduar në transferimin e futbollistëve cilësor nga ky repart, ndërsa një ndër ta pa dyshim se është edhe futbollisti kosovar i Skënderbeut, Bajram  Jashanica.

Për shërbimet e tij Shkëndija interesohej edhe vitin e kaluar, mirëpo Jashanica ishte nën kontratë me Skënderbeun, drejtuesit e së cilës skuadër nuk dëshironin të dëgjonin për largimin e tij nga  Korça.

Megjithatë tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe Jashanica është një futbollist i lirë, pasi më 30 qershor i skadoi kontrata me ish kampionët e Shqipërisë.

Kjo lehtëson dukshëm tashmë veprimin e drejtuesve të Shkëndijës, të cilët nëse do i ofronin kushte të mira futbollistit kosovar, shumë lehtë mund të ndodh që ai  të vishet “kuq e zi” dhe të jetë një ndër shtyllat kryesore të mbrojtjes së skuadrës tetovare, e cila në sezonin 2017/2018 dëshiron që të ndërtohet nën themele të forta.

Leave a Reply