Maqedonia e Veriut dhe Kosova përfundimisht do të luajnë në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup. Pas konfirmimit disa ditë më parë nga presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, sot edhe zyrtarisht u morë vendimi nga Këshilli Drejtues brenda FFM-së.
“Këshilli Drejtues i FFM-së ka vendosur që takimi Maqedoni-Kosovë i vlefshëm për gjysmëfinalen e Ligës së Kombevetë luhet në arenën “Todor Proeski” në Shkup. FFM gjithashtu njoftoi edhe zyrtarisht UEFA-në për vendin e zhvillimit të ndeshjes”, thuhet në kumtesën e FFM-së.
Ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës e vlefshme për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve do të luhet me 26 mars të vitit 2020.
Ndërkohë, Këshilli Drejtues i FFM-së gjithashtu solli vendim për të paguar premion prej 500 mijë eurove reprezentuesve dhe stafit teknik të përfaqësueses A për paraqitjet në eliminatoret për Euro 2020-të.