Ish sulmuesi i Interit, Crvena Zvezdës dhe Vardarit, Darko Pançev, beson se do të ishte një mossukses i madh për Maqedoninë e Veriut nëse nuk arrinë të kalojë pengesën e parë, Kosovën, në rruëgtimin për Euro 2020. Maqedonia e Veriut dhe Kosova me 26 mars do të përballen në Shkup në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kombeve.
Të dyja përfaqësueset nuk arritën të sigurojnë një biletë për në Europianin e vitit të ardhshëm përmes ndeshjeve eliminatore, ashtu që tek Liga e Kombeve shohin shpëtimin, apo edhe ëndërrën e tyre.
Legjenda e futbollit në vend, Darko Pançev, në intervistën e tij të fundit për “Balkans.aljazeera.net”, mes tjerash ka dhënë mendimin e tij për gjasat e Maqedonisë së Veriut për tu kualifikuar në “Euro 2020”.
“Gjasat që ne të kualifikohemi në Kampionatin Evropian janë shumë të mëdha, megjithatë nuk duhet ta nënvlerësojmë askënd. Duke pasur parasysh se selektori Igor Angelovski thotë se kjo është gjenerata më e mirë në histori të Maqedonisë, atëherë s’duhet ta kemi problem”, ka thënë Pançev.
“Jemi favoritë kundër Kosovës, pasi që edhe luajmë në shtëpi. Nëse nuk fitojmë në atë ndeshje, do të jetë një dështim i madh për vendin tonë”, – shtoi Pançev.
Skuadra fituese në ndeshjen e 26 marsit të vitit 2020 do të kalonte në finalen e Ligës “D” të Kombeve, ku do të përballej me fituesin nga gjysmëfinalja e dytë, Bjellorusi-Gjeorgji.
Ekipi përfaqësues që do të kualifikohej në EURO 2020, do të luante në grupin “C”. Megjithatë, nëse Rumania shpallet fituese e Ligës së kombeve, ku garon me Islandën, Bullgarinë dhe Hungarinë, atëherë Kosova do të zhvendosej në Grupin F, që është bërë i njohur si Grupi i Vdekjes.
Në Grupin “C” do të garojë Holanda, Ukraina, Austria dhe fituesi i Ligës “D” të ndeshjeve “play-off”, e ku mund të jenë Kosova apo edhe Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë në Grupin “F” radhiten Portugalia, Franca, Gjermania dhe fituesi i Ligës “A” të ndeshjeve të “play-off” të Ligës së Kombeve.