Televizioni shtetëror i Kinës CCTV e anuloi transmetmin e ndeshjes së futbollit midis Arsenalit dhe Mançester Sitit më datë 15 dhjetor, pasi futbollisti turk i “topçinjëve”, Mesut Ozil, e kritikoi Pekinin për shtypjen brutale të muslimanëve ujgurë në rajonin e Ksinjiangut.
Ozil kritikoi edhe vendet e tjera muslimane që, siç tha, nuk ngrihen kundër abuzimeve që përfshijnë internime të detyrueshme dhe tortura.
Pekini tha se Ozil është “mashtruar nga lajmet e rreme” dhe tha se ai duhet ta vizitojë vetë rajonin kinez të Ksinjiangut.
“E ftojmë zotin Ozil ta vizitojë Ksinjiangun e Kinës dhe ta shohë vetë. Nëse ka ndërgjegje, ai mund ta bëjë dallimin e qartë midis së mirës dhe së keqes”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se rreth një milion njerëz, kryesisht nga komuniteti musliman ujgur, mendohet se mbahen të burgosur në kampe të sigurisë së lartë në Kinë.
Kina e mohon vazhdimisht keqtrajtimin e muslimanëve ujgurë dhe thotë se ata po edukohen në “qendra të formimit profesional”.
Në këtë mënyrë, Pekini thotë se e lufton ekstremizmin e dhunshëm fetar.
Ujgurët janë grupi më i madh indingjen i Ksinjiangut.