Ronaldo shënoi, por Lacio nokautoi Juventusin pas 16 viteve (VIDEO)

Skuadra e Lacios i ka shkaktuar disfatën e parë Juventusit të Mauricio Sarrit. “Shqiponjat” nga kryeqendra italiane shënuan fitore 3:1 në ndeshjen e vlefshme të javës së 15-të në “Serie A”, njofton “infOSport.mk”.

Kristiano Ronaldo i dha avantazhin “Zonjës së Vjetër” në minutën e 25-të, mirëpo 45 minutëshi i parë u mbyll me barazim falë golit të shënuar nga Luiz Felipe në minutën e parë shtesë.

Pjesa e dytë foli në tërësi për “lacialët”, të cilët falë golave të shënuar nga Sergej Milinkoviç Saviç (74’) dhe Felipe Kaisedo (90+5’) në fund shënuan fitore 3:1, edhe pse e njëjta mund të ishte me shifra edhe më të thella në rast se Immobile në minutën e 79-të shënonte nga pika e bardhë.

Ishte kjo fitorja e parë e Lacios pas plotë 16 viteve në ndeshjet si vendas kundër Juventusit. Fitoren e fundit skuadra “laciale” e kishte arritur në vitin 2003, ndërsa që nga atëherë Juventusi kishte regjistruar 11 fitore dhe 3 barazime në “Olimpiko”.

Me këtë fitore Lacio tashmë renditet në pozitën e tretë me 33 pikë, 3 më pak se Juventusi i vendit të dytë, teksa Interi me 38 pikë mban pozitën e parë.

Leave a Reply