Shkëndija ndaj Rabotniçkit, pa Besart Ibraimin

Shkëndija nesër në Tetovë pret Rabotniçkin në kuadër të ndeshjes së parë çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë kanë bërë rezultate të mira në fushë të tyre dhe nesër pritet të bëjnë një paraqitje të tillë si në ndeshjet e kaluara.

Mirëpo në këtë ndeshje të rëndësishme, kuqezinjtë do të luajnë pa njërin prej futbollistëve më të mirë të tyre ose më mirë thënë pa golashënuesin më të mirë të historisë në futbollin vendor, Besart Ibraimi.

Stafi teknik i Shkëndijës, në krye me trajnerin Ernest Gjokën ka paraparë që mos ta përfshijë Besart Ibraimin në listën e futbollistëve për ndeshjen ndaj Rabotniçkit, duke lënë që të lirë të pushojë së bashku me Mexhit Nezirin.

Lista e 18-të futbollistëve do të kompletohet me të riun Abdulvahit Murati nga ekipi U19 i kuqezinjëve.

Në këtë situatë Shkëndija pushon lojtarët më të mirë, duke marrë parasysh se në xhiron e fundit të gjysmësezonit të parë në elitë përballen me Vardarin në fundjavë.

Takimi Shkëndija-Rabotniçki luhet nesër në stadiumin e qytetit në Tetovë, duke nisur nga ora 13:00./InfOSport.mk

Leave a Reply