Kampionati norvegjez ka përfunduar këtë javë me Molden që është shpallur kampione e këtij vendi, ndërsa dy skuadrat që do të luajnë në Liga Europa janë Rosenborg dhe Bodo/Glimt. Si në shumë kampionate europiane, edhe në këtë norvegjez këtë edicion shkëlqyen futbollistët shqiptarë.
Herolind Shala, Elbasan Rashani, Liridon Kalludra, Flamur Kastrati, Zymer Bytyqi, Ylldren Ibrahimaj e Veton Berisha ishin vetëm disa nga futbollistët shqiptarë që patën paraqitje të mira këtë vit, shkruan Gazeta Sheshi.
E mesfushori i Kosovës, Herolind Shala është vlerësuar jashtëzakonisht shumë, pasi është përfshirë në formacionin më të mirë të vitit në Norvegji nga gazeta më e madhe në Norvegji, “VG.no”.
Edhe pse Valerenga e tij nuk arriti të kapë një pozitë që i dërgon në Evropë, Shala ishte ndër lojtarët më të mirë në kampionatin norvegjez.
27-vjeçari zhvilloi 21 ndeshje këtë edicion duke munguar në nëntë prej tyre shkaku i lëndimeve, por shënoi gjashtë gola dhe bëri pesë asistime si mesfushor defensivë.
Ky është një vlerësim shumë i madh për Shalën i cili tregoi edhe njëherë se ka vlera të mëdha duke shkëlqyer në kampionatin elitar të Norvegjisë.
Gjithsesi mbetet të shihet nëse Shala do të vazhdoj te Valerenga, apo do të ketë ndonjë klub më të madh që e dëshiron pas paraqitjeve fantastike me klubin nga kryeqyteti norvegjez dhe me Kosovën.