Agim Sopi mund të rikthehet në futbollin suedez. Ishte ky lajmi që qarkullonte gjatë ditës së sotme, mirëpo i njëjti do të vazhdojë të mbetet pjesë e Feronikelit. Një gjë të tillë ka konfirmuar edhe Albert Bunjaki, i cili aktualisht e ushtron funksionin e këshilltarit të presidentit të Feronikelit, Naser Ramaj.
Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, Bunjaki e ka pranuar se ka interesim të disa klubeve për Sopin, por që ai do të vazhdojë të jetë pjesë e Feronikelit.
“Interesimi për trajnerin, Agim Sopi, ka qenë edhe më herët nga klubet elite të Suedisë, tani së fundmi po flasim për Mjällby. Klubi i FC Feronikelit është shumë krenar që ka në radhët e veta një trajner me eksperiencë në Kampionatin Evropian me Maqedoninë U21 dhe në elitën e Suedisë gjithashtu. Mund ta konfirmoj që Sopi është i përkushtuar totalisht në projektin e FC Feronikelit dhe për të paktën dy vite të tjera do të jetë pjesë e klubit të FC Feronikelit”, – ka thënë Bunjaku për faqen zyrtare të skuadrës nga Drenasi.
Ndryshe për strategun shkpujan interes kishte shfaqur skuadra e “Mjällby AIF”, që këtë edicion u inkuadrua në “Allsvenskan”, kampionatin elitar suedez.
Siç raportojnë mediat suedeze Mjällby AIF është në kërkim të një trajneri të ri, pasi që përfunduan marrëveshjen me trajnerin e deritanishëm serb, Milosh Milojeviç.
Këtë informacion e konfirmoi edhe drejtori sportiv i Mjällby, Hans Larsson i cili për të përditshmen suedez “Kristianstadbladet”, deklaroi: “Po, mund të ju konfirmoj që Agim Sopi është në listën tonë të trajnerëve”.
Kujtojmë që Sopi erdhi te Feronikeli në nëntor të këtij viti, derisa së fundmi ishte pjesë e klubit suedez “Landskrona BoIS”.