Edhe pse edicionin e kaluar ishte një ndër futbollistët më të mirë te Arsenali, Lukas Toreira, edicionin e sivjetshëm nuk po luan rregullisht, çka ka bërë që uruguaiani të mendojë seriozisht largimin nga rradhët e skuadrës londineze.
E për të shtuar edhe më tepër zërat, ka folur agjenti i tij, i cili ka zbuluar disa prapaskena të merkatos së verës. Për interesimin e Milanit në verë, agjenti i Torreira tha: “Kishte interes, ashtu siç kishte nga klube të tjera. Unë së bashku me Toreiran u ulëm në zyrën e drejtuesit të përgjithshëm të Arsenalit, i cili na tha në mënyrë direkte se klienti im nuk është në shitje. Dua të shtoj se Milani asnjëherë nuk na dha ndonjë ofertë konkrete. Rikthim në Itali? Pse jo, Lukas e ndjek me shumë interes kampionatin italian. Nuk mund të mohojmë asgjë”.
Rikujtojmë përveç Lukas Toreira, me një kalim të mundshëm te Milani ndërlidhet edhe emri i Granit Xhakës, që gjithashtu si duket ka përfunduar aventurën e tij te Arsenali, pas atij problemi që pati me tifozët e skuadrës së tij gjatë ndeshjes me Kristal Pallas.