Futsal Shkupi ka regjistruar edhe fitoren e 5-të në 6 javët e para kampionat në Ligën e Parë të futsalit, teksa sonte si nikoqir në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen Serava mundi Karadakun me rezultatin 8:3, njofton “infOSport.mk”.
Ekipi “bardhekaltër” që në start u treguan të pamëshirshëm ndaj mysafirëve nga Kumanova, të cilët brenda 3 minutave të para panë veten në disavantazh prej 2 golave, pas dopietës së Zoran Leveskit.
Nuk vonoi shumë dhe 5 minuta më vonë Bejtulla Jakupi shënoi edhe golin e tretë për Futsal Shkupin, që më pas Erkan Seferi në të 14-tën të shënojë edhe golin e katërt, ndërkohë në minutën e 17-të i riu Sead Demiri bëri që rezultati në ato momente të ishte 5:0 në favor të Futsal Shkupit.
Kjo epërsi e thellë bëri që “bardhekaltërit” të lirohen disi në minutat e fundit të pjesës së parë, gjë që në maksimum e shfrytëzuan mysafirët duke shënuar 3 gola në 3 minuta, me ç’rast pjesa e parë u mbyll me shifrat 5:3.
Megjithatë pjesa e dytë sërish foli në të mirë të ekipit vendas, që kontrollonte lojën, ndërsa realizuan edhe 3 gola të tjerë përmes Erkan Seferit (23’), Sead Demirit (33’) dhe golashënuesit të tyre më të mirë, Ismet Ceka (37’).
Falë kësaj fitore Futsal Shkupi merr përkohësisht kreun e tabelës me 16 pikë, një më shumë se Juventus Serava, që ndeshjen e saj të javës së 6-të do ta zhvillojë të dielën (17 nëntor) kundër Zhelezarecit në transfertë.