Të shara, ngritje zëri dhe kritika nga Reja në dhomat e zhveshjes! Barazimi me Andorrën lë pasoja te Kombëtarja shqiptare

Shqipëria nuk arriti të merrte më shumë se një barazim ndaj Andorrës dhe natyrisht është një rezultat i turpshëm duke parë kundërshtarin përballë që kishte në “Elbasan Arena”.

Por, “VipSport.al” ka mësuar se nuk ka qenë vetëm kjo e keqja e ndeshjes duke qenë se edhe situata pas ndeshjes nuk ishte e qetë.

Tension, të shara, turbullime, por edhe lot në dhomat e zhveshjes të kombëtares shqiptare pas barazimit 2:2 ndaj Andorrës. Që në kthimin në dhomat e zhveshjeve kanë shpërthyer të sharat me zë të lartë, të lojtarëve që shfrynin stresin në këtë mënyrë.

“VipSport.al” ka mësuar se “veteranët” kanë ngritur zërin duke e cilësuar të papranueshme, sidomos Berisha i cili shfrynte se ishte lënë i vetëm në 2 rastet e vetme që krijuan kundërshtarët dhe kishte pësuar 2 gola me të vetmet gjuajtje të rivalëve.

Shumë dëshpërim, ndërsa të rinjtë janë përlotur kur futbollistët kanë kujtuar me zë të lartë se është turp që do të kujtohet ky barazim me Andorrën.

Edhe trajneri Reja nuk është kursyer në fjalët e tij para futbollistëve. “Ja a deshët qe të luanit të gjithë, te kishit shansin për të luajtur” ishte tërheqja e veshit e trajnerit ndaj atyre që kishin hyrë në fushë duke iu referuar atyre që kishin kërkuar t’u jepej një shans për të dhënë kontributin e tyre në fushë.

Reja kishte një pakënaqësi edhe për atmosferën në stadium dhe mbështetjen e tifozëve. “Ku i keni tifozët?”, ishte fraza e trajnerit me tone të larta

Më pas fjalën e ka marrë Hysaj i cili ka përdorur po zë të lartë ndaj pjesës tjetër të skuadrës duke kujtuar se ishte e papranueshme që Shqipëria të bënte përsëri gabime të tilla.

Disa minuta tensioni të pazakontë për një natë të pazakontë, pasi ajo qe duhej të ishte festa kuqezi u kthye në festën e miqve nga Andorra me britmat e tyre festive qe dëgjoheshin edhe ne dhomat e zhveshjes të Shqipërisë në këto momente tensioni.

Pas një situatë nuk ishte rastësi që shumë prej futbollistëve u larguan kokulur pa folur para gazetarëve, ndërsa edhe vetë trajneri Reja pranoi zhgënjimin e thellë duke kërkuar falje për atë që kishte dhënë ekipi i tij në fushë. (VipSport.al)

Leave a Reply