Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, është shprehur i zhgënjyer pas disfatës 2:1 ndaj Çekisë sonte në Plzen, me ç’rast Kosova humbi mundësinë e parë që përmes eliminatoreve të siguroj një vend për në Euro 2020.
“Zhgënjimi është shumë i madh sepse nuk kemi luajtur siç ne dimë. Sidomos pjesa e parë, ka qenë më e dobëta që e kemi bërë deri tash”, – ka thënë Rashica.
Ai thotë se Çekia luajti futboll më të mirë se sa Kosova dhe u angazhua më shumë.
“Çekia e luajti një lojë shumë të mirë. U angazhuan më shumë. I shënuan ato dy gola ashtu siç i shënuan. Ne e kemi lojën tonë që provojmë me pasime të dalim. Por sot shumë gjëra nuk kanë funksionuar”, ka thënë Rashica.
Ai ka thënë se “hijeshia e vetme e sotme kanë qenë tifozët e Kosovës, të cilët e kanë përkrahur gjatë gjithë ndeshjes Kosovën, madje edhe pas përfundimit të saj, kur ju ishin drejtuar futbollistëve me fjalët “Faleminderit”.