Një tjetër kapitull i shtohet sagës “Xhaka” në përfaqësuesen shqiptare. Mesfushori mendohej se do të kthehej përsëri protagonist me fanellën “kuqezi”, por ai është bërë protagonist në një mënyrë tjetër, pasi nuk është paraqitur në grumbullimin e përfaqësueses edhe pse ishte pjesë e listës së publikuar nga ana e seleksionuesit, Edi Reja.
VIP Sport ka marrë konfirmimin nga stafi pranë kombëtares se Xhaka nuk është pjesë e skuadrës për dy ndeshjet e ardhshme pasi vetë futbollisti ka nxjerrë si justifikim një shqetësim muskulor për mospraninë e tij në stërvitje me futbollistët e tjerë në Durrës.
Zakonisht në të kaluarën lojtarët kanë ardhur në grumbullim dhe në rast dëmtimesh të tilla, janë lënë të kthehen në ekipet përkatëse pas vizitave, por Xhaka nuk ka zgjedhur këtë rrugë, duke konfirmuar se nuk do t’i bashkohej ekipit.
Tani mbetet për të parë se si do të vendosë trajneri Reja në lidhje me këtë çështje dhe nëse Xhaka do të jetë më pjesë e kombëtares në të ardhmen, pasi dëmtimi i tij duket shumë misterioz.
Futbollisti ishte lënë jashtë grumbullimit në ndeshjet e kaluar si zgjedhje teknike dhe trajneri Reja në konferencë theksoi se tani do ta shihet përsëri nga afër atë, gjë që tanimë nuk duket se mund ta bëjë të paktën deri në mars, gjithmonë nëse lojtari do të jetë më pjesë e planeve të tij. (vipsport.al)