Rabotniçki dhe Shkëndija sot do të zhvillojnë ndeshjen e fundit të javës së 14-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.
“Kuqezinjtë” nga Tetova synojnë fitore në fushë të Rabotniçkit për të shkuar në pauzën ndërkombëtare me pozitën e tretë të përforcuar dhe me shpresë për t’iu afruar edhe më shumë kreut.
Skuadra e udhëhequr nga Ernest Gjoka, duket se ka kapur rritmin e duhur, pasi në tre ndeshjet e fundit ka koleksionuar 7-të pikë nga 9-të të mundshme (fitore me 3:0 Sileksin dhe 4:0 ndaj Borecit, si dhe barazim 0:0 me Makedonija Gj.P.).
Për më tepër kampionët në fuqi shfaqën siguri në lojë, teksa shënuan 7-të gola dhe nuk pranuan asnjë.
Mirëpo nëse Shkëndija ec mirë tre xhirot e fundit, Rabotniçki është në një seri prej katër takimeve pa fitore, duke humbur tre ndeshje rresht para se të barazonin xhiron e shkuar në fushë të Akademia Pandevit (1:1).
Ndeshja Rabotniçki – Shkëndija do të zhvillohet në arenën “Todor Proeski” me fillim në ora 13:00, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga arbitri Aleksandar Stavrev.