Juventusi i është kundërpërgjigjur Interit, teksa mundi Torinon në derbin lokal me rezultatin minimal 1:0 në ndeshjen e vlefshme të javës së 11-të në “Serie A”, njofton “infOSport.mk”.
Golin e vetëm për “Zonjën e Vjetër” e realizoi holandezi Matis de Ligt në minutën e 70-të, kur mjaft mirë shfrytëzoi një pasim të argjentinasit Gonzalo Higuain, që me shumë instikt riktheu topin para portës kundërshtare, ku më së miri u gjind mbrojtësi holandez, që në fund doli të jetë heroi i kampionëve në fuqi të Italisë.
Kjo pasi goli i tij u tregua si vendimtarë në marrjen e 3 pikëve të reja të Juventusit, edhe pse gjatë pjesës së parë i njëjti futbollistë mund të shndërrohej në një figurë negative, pas atij rasti të dyshimtë brenda zonës, kur vendasit kërkonin penalti pas prekjes me dorë të topit nga ana e holandezit.
Megjithatë ato mbeten vetëm si pretendime të futbollistëve të Torinos, të cilët në fund iu dorëzuan Juves për të 71 herë nga gjithsej 150 takime.
Me këtë fitore Juventusi sërish rikthehet në pozitën e parë me 29 pikë, një më shumë se Interi, që gjatë ditës më herët mundi Bolonjën në transfertë me shifrat 2:1, ndërsa me po të njëjtin rezultat, Roma në derbin e ditës mundi Napolin.