Ndeshjet e Kupës shpeshherë dinë të sjellin edhe surpriza, ndërsa një e tillë mund të konsiderohet eliminimi i finalistit të edicionit të kaluar, Makedonija GJ.P që në fazën e 1/8 së finales, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra shkupjane sot në teren vendas nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Bregallnicës së ligës së dytë – Lindje, që në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shtip kishte shënuar fitore minimale 1:0.
Pikërisht ky ishte rezultati i përgjithshëm i përballjeve të këtyre dy skuadrave, me Bregallnicën që vazhdon në çerekfinale, së bashku edhe me Labunishtin, që edhe në ndeshjen e dytë mundi Ohrid Lihnidos. Pas fitores 2:0 në Strugë, sot skuadra e Labunishtit shënoi fitore 3:2 ndaj Ohrid-it në stadiumin Atina Bojaxhi në Ohër.
Pajazit Saliu vetëm pas 3 minutave lojë kaloi në epërsi Labunishtin, ndërsa Mirlind Dauti në minutën e 11-të veçmë shënoi edhe golin e dytë për Labunishtin.
Aleksandar Celeski me golin e realizuar në minutën e 18-të paralajmëroi kthesën e Ohrid Lihnidos, që në minutën e 72-të me anë të Nikolla Sekuloskit arriti që të barazojë shifrat në 2:2. Megjithatë këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar, pasi 4 minuta para fundit të takimit, Jasin Kazimoski u përkujdes edhe për fitoren e dytë të Labunishtit ndaj Ohrid Lihnidos në fazën e ndeshjeve të 1/8 së finales.
Kësisoj këti dy skuadra do të ruajnë nderin e skuadrave të ligës së dytë në fazën çerekfinale, aty ku pret të kualifikohet edhe Renova, që nesër në Tetovë do të mirëpret Tikveshin me një epërsi 2:0, të krijuar nga ndeshja e parë në Kavadar.