Pas disfatës (1:6) ndaj Slovenisë, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futsal, sonte ka pësuar edhe humbjen e dytë në kuadër të ndeshjeve parakualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2020, njofton “infOSport.mk”. Të përzgjedhurit e seleksionuesit Ivan Bozhoviq, në palestrën “Jane Sandanski” u mundën nga përfaqësuesja e Kosovës me rezultatin 7:5. Ishte kjo një ndeshje me shumë kthesa në rezultat, e ku vetëm fundi vendosi emrin e fituesit.
Pjesa e parë u mbyll me shifrat 4:2 në favor të “dardanëve”, për të cilët shënuan Jeton Rukovci, Drilon Maxharraj, Ramadan Alaj dhe Malush Qerimi.
Në anën tjetër dy golat për Maqedoninë e Veriut i realizuan Ivan Krstevski dhe Taulant Ismaili.
Fillimi i pjesës së dytë ishte superior për ekipin “verdhekuq”, të cilët që në minutën e parë me anë të Sadat Ziberit arritën që të ngushtojnë epërsinë e Kosovës në 4:3. Në minutën e 26-të lojtari i Futsal Shkupit, Ferid Agushi arriti që të barazojë shifrat në 4:4, ndërkohë një super gol i Adrian Micevskit në minutën e 28-të, bëri që Maqedonia për herë të parë në këtë ndeshje të avansojë përballë ekipit “dardan”.
Kjo epërsi e Maqedonisë së Veriut zgjati vetëm 5 minuta, pasi një reagim naiv i tyre, bëri që portieri kosovar, Fredi Prenqi të barazojë shifrat në 5:5.
Ky rezultat ishte valid deri në minutën e 39-të, kur Malush Qerimi realizoi edhe golin e dytë personal dhe të 6-tin për Kosovën, ndërkohë në çastet e fundit të takimit, kur Maqedonia e Veriut luante pa portier, Kosova me anë të Dardan Topillës shënoi edhe golin e 7-të, duke marrë fitoren e parë në kuadër të parakualifikueseve që po zhvillohen në kryeqendrën tonë, transmeton “infOSport.mk”.
Pas kësaj disfate Maqedonia humbi të gjitha gjasat edhe për atë vendin e dytë, për të cilin tashmë pritet të luftojë përfaqësuesja e Kosovës, që të dielën në kuadër të xhiros së tretë në grup do të përballet me Sloveninë (20:00h), ndërkohë Maqedonia e Veriut do të përballet me favoritët e Ukrainës (17:30h).