Majorka e Trajkovskit e fortë për Realin, i zbret nga kreu i La Ligës “madrilenët” (VIDEO)

Reali i Madridit dorëzoi kreun e renditjes në La Liga Barcelonës, pasi u mposht me rezultatin minimal 1:0 në transfertën ndaj Majorkës të Aleksandar Trajkovskit që u vendos nga një gol i Junior që në minutën e 7 të sfidës së zhvilluar në “Estadio de Son Moix”.

Me disa futbollistë të dëmtuar, mes të cilëve edhe Modriç e Toni Kros, trajneri Zinedine Zidane kishte preferuar një rreshtim 4-4-2, me Junior Vinicius si mesfushor i majtë dhe dyshen Benzema-Joviç, ndërsa francezi Varane ishte lënë në stol.

Vendasit gjetën shumë shpejt golin e avantazhit, teksa më pas loja u dominua nga “madrilenët’, që mbajtën gjatë topin dhe krijuan disa mundësi shënimi, por pa arritur të gjejnë golin e barazimit.

Gjërat për “madrilenët” u komplikuan edhe më shumë në minutën e 74’, kur mbrojtësi i djathtë Odriozola u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me 10 lojtarë.

Të besuarit e Zidane provuan deri në fund të gjejnë golin e barazimit, ndërsa trajneri francez hodhi në fushë edhe Rodrygo, Diaz e Valverde, por pa arritur të shmangë humbjen, që e lë në vendin e dytë me 18 pikë, një më pak se Barcelona kryesuese që më herët gjatë ditës mundi Eibar me rezultatin 3:0.

Leave a Reply