Struga Trim Lum është rikthyer te fitorja, pasi sot në ndeshjen e javës së 10-të mundi Rabotniçkin në Shkup me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”. Ishte kjo fitorja e dytë ndaj “romantikëve” gjatë këtij edicioni, pas asaj fitore historike në Strugë gjatë muajit gusht në ndeshjen hapëse të sezonit 2019/2020.
Fitoren e struganëve e paralajmëroi Klisman Cake me golin e realizuar që në minutën e 10-të, kur nga një rivënie nga këndi me kokë shënoi në rrjetën e Shishkovskit.
Pas këtij goli, Rabotniçki morri inciativën, mirëpo tentativat e tyre për të barazuar shifrat vinin kryesisht nga ndërprerjet, apo edhe goditjet nga distanca, që gjatë pjesës së parë nuk dhanë rezultatin e duhur.
Megjithatë nuk vonoi shumë dhe vetëm pas 7 minutave lojë në pjesën e dytë, “romantikët” barazuan shifrat në 1:1. Rezervisti Jago Gomez pasi përfitoi një duel në zonën kundërshtare me mbrojtësin kundërshtarë, Hristijan Dragarski, asistoi në momentin e duhur për David Toshevskin, i cili në minutën e 52-të solli simetri në rezultat.
Pas këtij goli Rabotniçki u kanos sërish vetëm 3 minuta më pas, mirëpo në momentin e fundit struganët pastruan rrezikun para portës së tyre, që më vonë në minutën e 73-të, përmes një kundërzbritje, me anë të shkupjanit Florent Osmani, të shënojnë edhe golin e dytë.
Fundi i takimit solli penalti për Rabotniçkin, mirëpo goditjen e fuqishme të Petar Petkovskit, në mënyrë bravuroze e ndali portieri Urosh Gjuriq, që në fund u shndërrua në heroin e skuadrës së Struga Trim Lum, që arriti fitoren e parë të këtij sezoni në ndeshjet në transfertë.