Juventusi ka ndjerë efektin e blerjes së Cristiano Ronaldos jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në marketing, pasi ka rritur ndjeshëm shitjet e fanellave dhe është futur në listën e 10 klubeve me më shumë bluza të shitura në sezonin 2018-2019.
Kështu bardhezinjtë kanë arritur të shesin 1 milionë e 314 mijë bluza sezonin e kaluar, shifër kjo 3 herë më e lartë se në vitin paraardhës, ndërsa edhe në Instagram, Juventus është bërë klubi i tretë më i ndjekur, duke parakaluar Manchester United dhe mbetur pas Barcelonës dhe Realit të Madridit.
Sa i përket numrit të fanellave të shitura, gara kryesohet nga Manchester United me 4 milionë e 950 mijë bluza të shitura, i ndjekur nga Liverpool me 3 milionë e 943 mijë, ndërsa në 10-shen e parë bëjnë pjesë edhe Bayerni i Mynihut me 3 milionë e 450 mijë, Real Madrid me 2 milionë e 920 mijë dhe Barcelona me 2 milionë e 755 mijë.