Kombëtarja e Shqipërisë në futboll sonte ka vendosur një rekord të ri sa u përket ndeshjeve eliminatore në kuadër të Kampionateve Botërore apo Europiane.
Me fitoren 4:0 kundër Moldavisë, “kuqezinjtë” kanë vendosur edhe një shifër të re sa u përket golave të shënuar në një edicion.
Plotë 14 gola kanë shënuar futbollistët e kombëtares “kuqezi” në këto eliminatore, duke shkruar një histori të re.
Rekordi i mëparshëm ishte ai i eliminatoreve të Europianit të vitit 2008, kur Shqipëria e drejtuar nga Oto Bariç, kishte mbyllur edicionin me 12 gola të shënuar në bilancin e saj pas 12 ndeshjeve të zhvilluara.
Tashmë, me 14 gola në vetëm 8 ndeshje, ky rekord është lënë pas dhe mundet vetëm të përmirësohet në vijim, duke llogaritur që Shqipëria deri në fund të këtij cikli eliminatorë do të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera, edhe atë fillimisht me 14 nëntor kundër Andorrës, që vetëm 3 ditë më pas po në Tiranë, të luaj ndaj kampionëve të Botës, Francës.