Nga objektivi për mos rënie nga Superiliga zvicerane, Alioski me Luganon arritën në fund që të sigurojnë eliminatoret e Liga Evropës. Pavarësisht humbjes në shtëpi me rezultatin 0-1 në ndeshjen e fundit të kampionatit përballë Luzernës, Lugano u ndihmua nga barazimi i Sionit ndaj Grasshopersit dhe mbeti në vendin e tretë të renditjes në elitën e Zvicrës.
Reprezentuesi i Maqedonisë, së bashku me shqiptarin tjetër të Kombëtares, Armando Sadikun ishin në fushë që nga minuta e parë deri në fund, mirëpo asnjëri e as tjetri nuk arritën që të gjejnë rrjetën në këtë përballje.
Kujtojmë që Lugano pas 18 xhirove të zhvilluara në Kampionat, renditej në vendin e fundit në tabelë, ndërsa në gjysmësezonin pranveror kishte një ecuri të mirë me Alioski që ndihmoi skuadrën e tij me 16 golat e shënuar në këtë sezon të përfundojë në vendin e tretë në tabelë dhe të sigurojë Evropën.