FC Shkupi në mungesë të ndeshjeve kampionale, të shtunën në Çair zhvilloi një miqësore luksi me skuadrën e Superligës së Kosovës, Ferizajin, njofton “infOSport.mk”. Të besuarit e trajnerit Qatip Osmani shënuan fitore me rezultatin 2:0, duke realizuar nga një gol në secilën pjesë.
Golin e parë e realizoi Diak Lamin, teksa gjatë pjesës së dytë në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Darboe Dembo. Ky i fundit pati edhe disa raste të mira për të shënuar edhe ndonjë gol tjetër, mirëpo i mungonte finalizimi, ashtu që në fund rezultati mbeti i pandryshuar, FC Shkupi 2, Ferizaji 0.
Kjo ndeshje me siguri se trajnerit Osmani i vlejti për të parë nga afër formën momentale të futbollistëve të tyre, të cilët testin e parë në kuadër të ciklit të dytë të garave në elitën e futbollit vendor do ta kenë kundër Borecit në transfertë me datë 19 tetor.