Angellovski dhe Pandev: Jemi gati, besojmë në fitore kundër Sllovenisë (VIDEO)

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut nesër do të përballet me Slloveninë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Europian 2020. Për përfaqësuesen  e vendit përballje me sllovenët është shumë e rëndësishme, ku me fitore eventuale vazhdojnë garën për vendin e dytë në grupin ‘G’. Maqedonia këtë mesditë zhvilloi edhe stërvitjen zyrtare në arenën “Todor Proeski”, ndërsa në konferencën me gazetarët seleksionuesi Igor Angellovski dhe kapiteni Goran Pandev shprehen të gatshëm dhe besojnë në fitore ndaj Sllovenisë.
Igor Angellovski
“Nesër futbollistët e mi do të luftojnë për të marr më të mirën në fushë. Kemi dy mungesa dhe për ne është problem, por në fushë do të dalin 11 futbollistë të gatshëm për të luajtur dhe luftuar dhe për atë që të gjithë e duam. Nuk kam asnjë dyshim tek futbollistët e mi. Nuk më intereson për momentin tabela, mendoj vetëm se si të fitojmë kundër Sllovenisë. Mendojë nga ndeshja në ndeshje, së pari Sllovenia dhe më pas Polonia”.

 Goran Pandev
“Ne mezi presim për këtë ndeshje dhe e dimë se çfarë na sjell fitorja në këtë duel. Detyrimisht duhet të luajmë në nivel të lartë. Nëse Sllovenia shpreson të jetë e dyta, mundemi edhe ne. Nuk shoh ku është Sllovenia më e mirë se ne në fushë. E dimë se çfarë cilësie kemi edhe pse na mungojnë dy lojtarë. Premtoj se do të japim më të mirën në fushë. Pres përkrahje të madhe dhe shpresoj se do të vijnë njerëzit që na duan. Do të japim maksimumin, të tregojmë që kjo gjeneratë meriton të luaj në një kompeticion të madh. Jemi të koncentruar vetëm tek Sllovenia dhe besojmë në fitore”.

Takim Maqedonia e Veriut-Slloveni do të zhvillohet nesër në mbrëmje në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, duke nisur nga ora 20:45./Shenja/

Leave a Reply