Rashica gati të bëjë hapin e madh në karrierë, Dortmundi e mirëpret krahëhapur

Deklarata e menaxherit të Milot Rashicës se ka ardhur koha që klienti i tij të bëjë hapin e madh në karrierë dhe se dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve, ka gëzuar drejtuesit e skuadrës së Borusia Dortmund.

Mediumet gjermane kanë raportuar të mërkurën se Dortmundi po e përcjell nga afër situatën e Rashicës te Verder Bremeni, pasi sulmuesi kosovar ka stopuar negociatat për kontratën e re, transmeton “Koha Ditore”.

Mësohet se Verderi dëshiron të mbajë Rashicën sa më gjatë që është e mundur dhe i ka ofruar kontratë të re, por nuk është arritur marrëveshja rreth klauzolës së lirimit të tij.

Rashica me Verderin ka kontratë deri në vitin 2022 dhe është një prej futbollistëve kryesor te skuadra nga Bremeni.

“Ka ardhur koha që Miloti të bëjë hapin e madh. Miloti dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve në ndonjë periudhë të afërt. Megjithatë, ne jemi të relaksuar dhe nuk kemi nevojë të nxitojmë për asgjë, përfshirë këtu edhe për kontratën me Verderin”, ka thënë menaxheri i Rashicës, Altin Lala.

“Në verë kishin pesë oferta nga ekipet e tjera, por Miloti po ndihet mirë te Verderi për momentin, pasi është përshtatur shumë mirë” – ka përfunduar Lala.

Rashica pas një dëmtimi më të rëndë, vetëm javën e shkuar u rikthye në fushat e blerta, edhe atë pikërisht ndaj Borusia Dortmundit, ndaj së cilës edhe kishte shënuar një gol në atë barazim 2:2 në “Sinjal Iduna Park”.

 

 

Leave a Reply