Gentiana Roçi dhe Natasha Andonova patën fjalën kryesore në takimin e dytë kualifikuese, që përfaqësuesja e femrave të Maqedonisë në futboll e zhvilloi sot kundër Kazakistanit në Shkup, njofton “infOSport.mk”.
Që të dyja shënuan nga dy gola në fitoren 4:1 të Maqedonisë, që njëherit ishte fitorja e parë në kuadër të grupit “G” për eliminatoret e Europianit të vitit 2021.
Ishte Natasha Andonova që shënoi golin e parë të takimit në minutën e 6-të, pas asistit të Yllza Maksutit, teksa nuk vonoi shumë dhe vetëm 8 minuta më vonë, Gentiana Roçi ngriti epërsinë në 2:0.
Një penalti e akorduar në favor ta vashave “verdhekuqe” në minutën e 28-të në mënyrë të saktë u ekzekutua nga kapitenja Andonova, që në ato momente ngriti epërsinë në 3:0, ndërsa 4 minuta para fundit të pjesës së parë, struganja Roçi edhe pse shënoi në rrjetën e mysafireve, goli i saj u anulua për shkak pozitës jashtë loje.
Kësisoj pjesa e parë u mbyll me shifrat 3:0 në favor të Maqedonisë, futbollistet e së cilës skuadër në minutën e 73-të dështuan për të penguar mbrojtësen Julia Myasnikova të Kazakistanit të shënojë golin e parë në rrjetën e Pançurova.
Megjithatë kjo ishte e tëra që bënë futbolliste kazake, pasi deri në fund të takimit, Maqedonia shënoi edhe golin e katërt, e ku sërish në skenë doli Gentiana Roçi, me golin esaj të dytë personal dhe të katërtin për përfaqësuesen tonë të vendit, transmeton “infOSport.mk”.
Pas dy xhirove, Maqedonia zë vendin e tretë në grupin “G” me 3 pikë, po aq sa kanë edhe Austria dhe Serbia në dy vendet e para. Kundërshtarë i rradhës i vashave të seleksionuesit Kiril Izov, do të jetë Serbia ndeshje kjo që në program është me datë 5 tetor në Shkup, në terenet sportive pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë.