Gjilani dhe Drita sot do të zhvillojnë derbi ndeshjen e 30-të kampionale që nga paslufta, por numrat sot i takojnë vetëm historisë dhe përballja e sotshme do të shënojë një faqe të re kapitulli, shkruan Gazetasheshi.com.
Të dy ekipet kanë mbyllur të premten përgatitjet në masa konfidenciale, teksa përballjen e sotme e konsiderojnë si tepër të rëndësishme.
Ballafaqimi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës po konsiderohet si njëri ndër duelet më të shtrenjta që nga paslufta ndërmjet këtyre dy skuadrave, duke patur parasysh edhe faktin se për herë këtë përballje do ta shijojnë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar.
Drita është e kompletuar për këtë përballje dhe nuk pritet të ketë as edhe një mungesë të vetme, ndërkohë te Gjilani mungojnë qendërmbrojtësi Ylli Shameti për shkak të lëndimit, ndërkohë që paraqitja e Kushtrim Shabanit mbetet ende në pikëpyetje.Gentjan Mezani dhe Ardian Nuhiu sigurisht se kanë tashmë në kokën e tyre formacionin titullar me të cilin do ta nisin ndeshjen, ndërkohë që Gazeta SHESHI ua transmeton më poshtë edhe formacionet e mundshme.
Formacioni i mundshëm i Gjilanit: Haxhihamza, Frashëri, Rapa, Veliu, Jackson, Useini, Jonuzi, Hajdari, Progni, Greca dhe Busiç.
Formacioni i mundshëm i Dritës: Tofiloski, Limani, Gërbeshi, Cuculi, Leci, Bujar Shabani, Namani, Haxhimusa, Emini, Xhevdet Shabani dhe Gilberto Fortunato.
Shumë prej futbollistëve do ta shijojnë për herë të parë këtë ndeshje derbi, ndërkohë numri i atyre që do mund të paraqiten për herë të parë në këtë derbi është më i madh nga radhët e kuqebardhëve.
Shkëlzen Ruçi, Erlis Frashëri, Franc Veliu, Oltion Rapa, Jackson Ferreira, Muhamed Useini, Keita Aziz, Fjoart Jonuzi, Keita Razak, Gerhard Progni, Bedri Greca dhe Tomislav Bushiç do të jenë për herë të parë në ‘purgator’.
Ndërsa te Drita, Darko Tofiloski, Ardian Cuculi, Ilir Blakçori, Hamdi Namani, Izair Emini, Donat Hasanaj, Lucas Cardoso dhe Gilberto Fortunato pritet që ta shijojnë derbin gjilanas për herë të parë në karrierën e tyre.
Është interesant fakti se në dy taborret kanë futbollistë të cilët në të kaluarën kanë veshur fanellat e rivalëve të përbetuar.
Kapiteni Ylber Kastrati është i vetmi te Gjilani që në të kaluarën e ka veshur fanellën ‘bardhekaltër’, ndërkohë Betim Haxhimusa dhe Bunjamin Shabani janw dy futbollistë të cilët kanë luajtur me fanellën ‘kuqebardh’, madje edhe kanë realizuar në derbi.
Madje, Haxhimusa është njëri ndër golashënuesit më të mirë në historinë e këtij derbi me katër shënime dhe të gjitha i ka realizuar me fanellën e Gjilanit.
Nw 29 ndeshjet e deritanishme bilanc më pozitiv ka Drita, që numëron një fitore më tepër se ‘kuqebardhët’.
“Intelektualët” numërojnë 10 fitore, 9 u takojnë “Skifterave”, ndërkohë që 10 duele të tjera kanë përfunduar me rezultat të barabartë.
Rezultati 0-0 është më i shpeshti që kanë regjistruar këto dy skuadra, ndërkohë nuk kanë munguar as rezultatet bindëse si 3:0, apo edhe 1:6.
Gazeta SHESHI ua transmeton më poshtë të gjitha rezultatet e arritura ndërmjet këtyre dy skuadrave gjatë garave kampionale nga viti 1999/00.
1999/00: Gjilani-Drita 0-3 dhe Drita-Gjilani 3-1; |
2000/01: Drita-Gjilani 0-0 dhe Gjilani-Drita 3-0 (rez. zyrtar pasi Drita nuk pranoi të luaj); |
2001/02: Gjilani-Drita 0-1 dhe Drita-Gjilani 3-0; |
2002/03: Drita-Gjilani 0-0 dhe Gjilani-Drita 1-6; |
2003/04: nuk u luajt derbi pasiqë Gjilani bojkotoi Superligën; |
2004/05: nuk u luajt derbi pasiqë Gjilani ishte në ligen e dytë; |
2005/06 dhe 2006/07: nuk luajt derbi pasiqë Drita luajti në ligën e dytë; |
2007/08: Drita-Gjilani 1-1 dhe Gjilani-Drita 2-0; |
2008/09: Gjilani-Drita 2-1 dhe Drita-Gjilani 1-3; |
2009/10: nuk u luajt derbi pasiqë Drita luajti në ligen e dytë; |
2010/11: Drita-Gjilani 0-0 dhe Gjilani -Drita 0-0 (hera e parë që derbi u luajt në Ligën e Parë). |
2011/12: Gjilani – Drita 0-1, Drita-Gjilani 2-0 dhe Drita-Gjilani 1-2… |
2012/13: nuk u luajt derbi pasiqe Gjilani luajti ne ligen e dyte; |
2013/14: nuk u luajt derbi pasiqe Gjilani luajti ne ligen e dyte; |
2014/15: nuk u luajt derbi pasiqe Gjilani luajti ne ligen e dyte; |
2015/16: Drita – Gjilani 0-3, Gjilani – Drita 0-2, Drita – Gjilani 0-1 |
2016/17: Drita – Gjilani 0-1, Gjilani – Drita 1-1, Gjilani – Drita 0-1 |
2017/18: Drita – Gjilani 1-1, Gjilani – Drita 0-0, Gjilani – Drita 1-1 |
2018/19: Gjilani – Drita 1-0, Drita 3-1 Gjilani, Gjilani 0-0 Drita |
Statistikat e 29 derbive kampional të pasluftës |
Drita: 10 fitore |
Gjilani: 9 fitore |
Barazime: 10 ndeshje |
Genc Nuza është gjyqtari që ka arbitruar më së shumti derbin
Genc Nuza është gjyqtari që ka drejtuar më së shumti derbin gjilanas në histori. ‘Bilbili’ më i mirë kosovar ka gjykuar gjithsej shtatë herë këtë derbi.