Shkëndija ka rikthyer në postin e trajnerit legjendën e klubit, Qatip Osmanin, nën drejtimin e të cilit Shkëndija në sezonin 2010/2011 u shpall kampione e Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
Ishte ky suksesi më i madh i arritur nga ana e skuadrës tetovare në futbollin vendor, ndërsa me rikthimin e tij në skuadër besojnë se titulli sërish do të kthehet në Tetovë.
Lajmin për emërimin e Qatip Osmanit si trajner i Shkëndijës e ka bërë të ditur vetë numri një i “kuqezinjëve” nga Tetova, Lazim Destani, i cili rikonstruimin e klubit të tij e ka nisur pikërisht nga pozita e trajnerit.
Bashkë me Qaton te Shkëndija, vjen edhe Bashkim Livoreka, i cili do të luaj rolin e ndihmësit, njëjtë sikurse që bënte edhe te Renova.
Në vazhdim ju sjellim kumtesën e plotë të pronarit të Shkëndijës, Lazim Destani:
“Të nderuar tifozë e dashamirës të KF Shkëndija,
Siç është paralajmëruar kohë më parë, ne vazhdojmë me përgatitje për të bërë ndryshime rrënjësore në strukturën e organizimit, por njëkohësisht edhe në filozofinë e menaxhimit të klubit.
Në kuadër të ristrukturimit të klubit, kam ngritur Këshillin Mbikëqyrës si një organ të ri që do të jetë vazhdimisht në ndjekje të aktiviteteve dhe performancës në të gjithë sektorët e klubit. Së shpejti publiku do të njoftohet me përbërjen e këshillit, strukturën menaxheriale të klubit dhe ndryshimet tjera në klub.
Dua të theksoj se këto ndryshime nuk kanë të bëjnë vetëm me ardhjen e emrave të rinj në klub por krahas emrave është koncepti i ri që do t’u hap rrugë e do të krijojë hapësirë më të madhe për talentët e rinj që do të dalin nga akademia e KF Shkëndija. Besoj fuqishëm se e ardhmja është te talentët e rinj, te akademia e futbollit! Ideja thelbësore është ta bëjmë klubin kuqezi një qendër, jo vetëm ku do të vijnë futbollistë të mëdhenj, por edhe vendin ku do të rriten e zhvillohen futbollistë të mëdhenj që do të na bëjnë krenarë si klub dhe shoqëri.
Në këtë moment, si prurje të re në klub, mund ta bëj publik emrin e shefit të stafit teknik i cili tashmë ka nisur me planet e tij për drejtimin e skuadrës së Shkëndijës, dhe ky është trajneri tetovar Qatip Osmani.
Uroj ta shikojmë skuadrën e kuqezinjve të na i sjellë fitoret dhe sukseset që i dëshirojmë dhe i presim të gjithë së bashku, si unë ashtu dhe ju tifozët dhe dashamirët e KF Shkëndija.“.