Vetëm edhe dy xhiro nevojiten për të parë të mbyllur rrethin e parë të garave në elitën e futbollit vendor, që tashmë disa vite me rradhë zhvillohet me sistemin katër rrethor, me skuadrat që përballen nga dy herë brenda dhe jashtë, shkruan “infOSport.mk”.
Në 7 xhirot e deritanishme, vetëm skuadra e Akademia Pandev rezulton të jetë e pamposhtur, edhe pse kjo skuadër pikërisht javën e fundit, humbi statusin e liderit, pas barazimit pa gola ndaj FC Shkupit në Strumicë.
Këtë barazim të tyre, në maksimum e shfrytëzoi Vardari, që mundi Sileksin dhe me 16 pikë morri kryesimin në LPFM.
Vardari në 7 xhirot e para ka regjistruar 5 fitore, 1 barazim dhe 1 disfatë, teksa Akademia Pandev numëron 4 fitore dhe 3 barazime.
Skuadra e Borecit, që mban fenerin, ka vetëm një fitore, edhe atë ndaj kampionëve në fuqi të Shkëndijës (1:0), skuadër kjo që është këndellur në këto 3 javët e fundit, ku dinë vetëm për fitore, transmeton “infOSport.mk”.
Bazuar në këtë fillim të kampionatit, duket se do të jemi dëshmitar të një super kampionati deri në fund, e ku me siguri se Shkëndija do të kërkojë ngritjen, ndërsa një gjë të tillë mund të bëjë edhe FC Shkupi me trajnerin e ri, Qatip Osmani.