FC Shkupi sot në kuadër të javës së 6-të në elitën e futbollit vendor, në terren vendas do të mirëpret rivalin e vjetër, Vardarin, njofton “infOSport.mk”. Dallimi mes këtyre dy skuadrave është vetëm dy pikë pas 5 xhirove të para, edhe atë në favor të Vardarit, skuadër kjo që tashmë 4 ndeshje me rradhë nuk din për fitore në Çair.
“Bardheblutë” dëshirojnë që kjo seri të vazhdojë edhe pas takimit të sotëm, në të cilin trajneri Bulent Akin, nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e dy futbollistëve titullarë.
Fjala është për sulmuesin kryesor, Marin Jurina, i cili për shkak suspendimit mungoi edhe në ndeshjen me Sileksin, si dhe për mbrojtësin e djathtë, Filip Stojanovski, i cili në ndeshjen e fundit kampionale u ndëshkua me karton të kuq.