E diela ka rezultuar e kobshme për dy skuadrat favorite për titull në Superligën shqiptare, Partizanin dhe Kukësin, njofton “infOSport.mk”. Këto dy skuadra edhe pse shiheshin si favorite në përballjet e javës së katërt, ata në fund pësuan disfata të rënda, që për momentin i lënë jashtë kreut.
Skuadra kampione në fuqi e Partizanit, u mund 1:0 në transfertën ndaj Laçit, teksa Kukësi u mund 2:1 nga Bylisi.
Ish gardiani i Kombëtares shqiptare, Isli Hidi shënoi edhe golin e dytë këtë edicion, sërish nga penaltia, ndërkohë një gol tjetër për Bylisin në këtë përballje realizoi Murataj në minutën e 89-të. Golin e vetëm për Kukësin në këtë transfertë, e realizoi Limaj në minutën e 15-të, kur edhe kishte kaluar në avantazh skuadrën nga Verilindja e Shqipërisë.
Pas këtyre disfatave, Kukësi dhe Partizani mbeten jashtë dy pozitave të para, me skuadrën e Shpëtim Duros që ndodhet në pozitën e 3-të me 7 pikë, ndërkohë skukadra nga kryeqendra shqiptare ndodhet në pozitën e 5-të me 6 pikë, pasi në 4 javët e para ka regjistruar 2 fitore dhe 2 disfata.