FC Shkupi ka vazhduar me përgatitjet për ndeshjen e javës së pestë në kampionat, ku përballë do të ketë Sileksin, shkruan “infOSport.mk”. Në këtë përballje debutimin e tij në një ndeshje zyrtare do ta ketë trajneri i ri, Bulent Akin, i cili zëvendësoi ditë më parë bashkëkombasin e tij, Umit Karan.
“Bardheblutë” kanë vijuar stërvitjet në stadiumin e tyre në Çair, aty ku shpresojnë që të shtunën të marrin fitoren e dytë të sezonit të ri, pas asaj ndaj Borecit në javën e parë.
Me skuadrën janë bashkuar edhe portieri Igor Aleksovski dhe fantazisti, Besar Iseni, të cilët madje u paraqitën në miqësoret e zhvilluara kundër Besës nga Dobërdolli (5:1) dhe skuadrës arabe të Al Bataeh (1:0).
Sakaq, me mungesën e Marin Jurina për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen me Struga Trim Lum, te FC Shkupi shpresojnë për një paraqitje të mirë të Besar Isenit, i cili pritet ta ndihmojë sulmin.
Ndeshja midis FC Shkupit dhe Sileksit në Çair të shtunën do të startojë në ora 15:30.