Shqipëria fiton dhe ende shpreson

Shqipëria ka arritur të marrë një fitore të madhe në “Elbasan Arena”, aty ku sonte mundi kombëtaren e Islandës me rezultatin 4:2, njofton “infOSport.mk”.

Kësisoj “kuqezinjtë” u nxorrën për atë disfatë të pak ditëve më parë ndaj kampiones së Botës, Francës, kur u mundën me rezultatin 4:1.

Dermaku, i cili zëvendësoi Mërgim Mavrajn, shfrytëzoi momentin e tij, duke kaluar në epërsi Shqipërinë në minutën e 32-të. Doli të jetë ky goli i vetëm i shënuar në 45 minutëshin e parë, ndërsa vetëm pas 2 minutave lojë në pjesën e dytë islandezët me anë të Sigurdson sollën simetri në rezultat.

Një super “dabëll-pas” midis Manajt dhe Hysajt, bëri që ky i fundit të shënojë golin e epërsisë në minutën e 52-të, mirëpo “kuqezinjtë” sërish dështuan në mbrojtje, ashtu që një gjë të tillë më së miri shfrytëzuan mysafirët që në minutën e 58-të me anë të Sigtorson barazuan sërish rezultatin.

Pasuan minuta mjaft të mira për Shqipërinë, që falë edhe përkrahjes nga tribunat në minutën e 78-të me anë të Odise Roshit kaluan edhe për herë të tretë në avantazh në këtë ndeshje, të cilin më pas vetëm sa e dyfishoi Sokol Cikalleshi me golin e realizuar në minutën e 83-të.

Kjo fitore “kuqezinjtë” që i mban sërish në garë për një vend për në Europianin e vitit 2020, pasi tashmë me 9 pikë mbajnë pozitën e katërt, 6 pikë larg dy skuadrave kryesuese Turqisë dhe Francës.

Leave a Reply