Një nga përballjet më të ndjekura të ditës së sotme në Europë, dhe jo vetëm nga tifozët shqiptarë, do të jetë pa dyshim ajo mes Anglisë dhe Kosovës.
Përfaqësuesja e Kosovës ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm me 15 ndeshje radhazi pa humbje, e për këtë arsye të gjithë duan të shohin se si do të reagojnë “Dardanët” edhe përballë një superfuqie si Anglia.
Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Çallandes pritet të bëjë pak ndryshime në formacionin e skuadrës së tij, që shpenzoi shumë energji ndaj Çekisë.
Ndryshimet e planifikuara janë ato në mesfushë, ku Valon Berisha dhe Florent Muslija pritet të zënë vendin e Zhegrovës dhe Rashanit, ndërsa në diskutim është edhe aktivizimi i Rashkajt nga minuta e parë në qendër të këtij reparti.
Nga ana tjetër, Garet Sauthgejt kërkon më shumë shpejtësi në manovrën e skuadrës së tij përballë mbrojtjes së Kosovës, e cila është treguar mjaft e vëmendshme në këto ndeshje.
Për këtë arsye, pritet që trajneri i “Albionit Krenar” të hedhë në fushën e lojës Xhadon Sanço të Borusia Dortmundit, në vend të Markus Rashford, për të shtuar fantazinë në repartin e avancuar.
Ndryshimet e tjera të mundshme në krahasim me duelin ndaj Bullgarisë përfshijnë aktivizimin e Trent Aleksander-Arnold në krahun e djathtë të mbrojtjes.