Ademi shënon, Maqedonia kthehet me barazim nga transferta me Izraelin

“infOSport.mk” drejtëpërdrejtë nga Ber Sheva

Përfaqësuesja e Maqedonisë ka arritur të “rrëmbejë” një pikë shumë të vlefshme në transfertën e rëndësishme me Izraelin, pasi ndeshja e zhvilluar në “Ber Sheva” e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian u mbyll me barazim 1:1, njofton “infOSport.mk”.

Pjesa e parë foli në të mirë të “verdhekuqve”, të cilët regjistruan tri raste të mira për gol, me Bardhin, Alioskin dhe Elmazin, por që nuk arritën të finalizojnë, me fraksionin e parë që u mbyll me barazim pa gola.

Në pjesën e dytë Maqedonia u ndëshkua në minutën e 56-të nga Zahavi, që përfitoi një top para 5-metërshit të Dimitrievskit, teksa Arian Ademi mendoi për barazimin 9-të minuta më vonë, duke shënuar në rrjetën e izraelitëve për 1:1 pas asistit të Ezgjan Alioskit nga gjuajtja e lirë.

Deri në fund të përzgjedhurit e seleksionuesit Angellovski kishin edhe një rast tepër të mirë gol, por Elmas nuk e shfrytëzoi mundësinë pas asitit të Pandev, i cili në minutat shtesë të takimit dha edhe një asist brenda zonës për Aleksandra Trajkovskin, mirëpo goditja e tij u ndal nga portieri kundërshtarë.

Kështu në fund të dyja përfaqësueset u ndanë me barazim 1:1 dhe me nga një pikë në konto. Ndeshjen e radhës Maqedonia e luan të hënën në transfertë ndaj Letonisë.

Leave a Reply