Luanat e Futsal Shkupit të pamëshirshëm ndaj Encamp

Futsal Shkupi ka regjistruar fitoren më të thellë në garat europiane, pasi sonte në palestrën “Kale” në ndeshjen e xhiros së dytë të grupit “B” në kuadër të paraeliminatoreve të Ligës së Kampionëve mundën kampionët e Andorrës me rezultatin 11:1, njofton “infOSport.mk”.

Gjithçka ishte fantastike, nisur nga vetë loja e lojtarëve “bardhekaltër” nga Çairi, por njëkohësisht edhe atmosfera e krijuar nga publiku me në krye “Shvercerat”, që sërish krijuan një atmosferë impozante.

Rexhep Sulejmani i cili nuk shënoi në ndeshjen e parë kundër Kardifit, sonte shpërrtheu me 3 gola, duke hapur njëherit edhe serinë e golave në këtë takim. Po aq gola realizoi edhe Erkan Seferi, ndërsa nga një gol realizuan edhe Taulant Ismaili, Aleksandar Gligorov, Dragan Petroviç dhe Erkan Shabani.

Në anën tjetër golin e vetëm për Encamp e realizoi Neira, ndërsa San Segundo në minutën e 25-të kishte shënuar në rrjetën e gabuar.

Pas kësaj fitore Futsal Shkupi merr sërish kryesimin në grupin “B” paraeliminatorë të Ligës së Kampionëve me 6 pikë dhe një gol-averazh 16:1, ndërsa në vendin e dytë me po aq pikë, renditet Lokomotiva Daugavpils, që gjatë ditës më herët mundi ekipin e Kardif University me rezultatin 5:1.

Ndeshjen e fundit dhe ndoshta vendimtare në këtë grup Futsal Shkupi do ta zhvillojë kundër ekipit të Lokomotiv Daugavpils nga Letonia të shtunën me fillim në ora 20:00, ndërkohë me fillim në ora 17:30 do të takohen dy skuadrat më të dobëta të këtij turneu, Kardif dhe Encamp.

Leave a Reply