Struga Trim Lum ka shënuar edhe fitoren e saj të dytë nga gjithsej 3 ndeshje kampionale, duke konfirmuar se bëhet fjalë për një skuadër mjaft mirë të përgatitur, ndaj së cilës nuk do ta kenë të lehtë edhe ekipet më të mëdha, shkruan “infOSport.mk”. Skuadra strugane që udhëhiqet nga strategu tetovar, Jeton Beqiri gjatë ditës së sotme mundi Sileksin me rezultatin 2:1, fitore kjo identike, si ajo e javës së parë kundër Rabotniçkit.
Figurë qendrore te Struga Trim Lum doli të jetë sulmuesi Hristijan Kirovski, që i shënoi të dy golat, nga një në secilën pjesë.
Golin e tij të parë me fanellën e Struga Trim Lum, ish anëtari i Makedonija GJ.P e realizoi në minutën e 30-të, kur përfitoi nga një asist i Flamur Tairit, teksa golin e dytë e shënoi në minutën e 66-të, kur me një goditje nga distanca për tokë mposhti edhe për herë të dytë portierin mysafir.
Golin e vetëm për Sileksin në këtë ndeshje e realizoi Hristijan Grozdanovski.
Pas kësaj fitore Struga Trim Lum me 6 pikë renditet e treta në tabelë, menjëherë pas dyshes kryesuese Akademia Pandev, Renova, që kanë nga 7 pikë, transmeton “infOSport.mk”.
Javën që vjen Struga Trim Lum sërish do të luaj si vendas, kësaj rradhe ndaj FC Shkupit, skuadër kjo që sot në Çair barazoi 2:2 ndaj Renovës.