Kampionati shqiptar nis me triumfin e Kukësit përballë Partizanit, me nënkampionët që mundin kampionët në fuqi me rezultat 1:0 në ndeshjen hapëse të sezonit të ri garues 2019/20 në Superligën e Shqipërisë. Ndeshja u vendos nga një penallti e fituar nga futbollisti tetovar, Valon Ethemi, e cila u shndërua në gol nga Shkurtaj.
“Është e rëndësishme që të fitojë skuadra, të marrim pikët, ndërsa ne si lojtarët duhet që të bëjmë maksimumin. Është ndeshja e parë kundër kampionëve të vjetshëm. Pastaj si kapiten e kam kënaqësi, ndonëse kapiteni i Kukësit është Besar Musolli. E kam shumë privilegj të jem zëvendësi i tij. Luajtëm ndaj Partizanit, kampionit të vjetshëm dhe një rivali për titull kështu që besoj se kjo fitore vlen shumë për startin dhe vazhdimësinë”, ka thënë Ethemi.
Tetovari ishte lojtar i ndeshjes dhe pas sfidës mori elozhe, ndërsa me paraqitjet e mira trajneri Duro e shpërblen me dhënien e shiritit të kapitenit pas daljes së Musollit.
“Dua që të bëj më të mirën, do dëgjoj këshillat e profesorit. Dua që të bëj një sezon të suksesshëm me Kukësin sepse tashmë kam edhe më shumë eksperiencë. Jam këtu që të punoj me dëshirë dhe të jap më të mirën edhe duke sakrifikuar për skuadrën dhe trajnerin në realizimin e synimeve që ka skuadra dhe klubi”, përfundon tetovari.