Renova ka kaluar në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë, mirëpo vetëm pas ruletit të penaltive, pasi në transfertën në Gjevgjeli ndaj Kozhuvit në kohën e rregullt prej 90-të minutave barazoi me shifrat 3:3, njofton “infOSport.mk”.
Në dy raste “gjipspunuesit” ishin në disavantazh (1:0, 3:2), përfshirë këtu edhe pjesën e parë që u mbyll me rezultatin 1:0.
Ky disavantazh kishte mobilizuar tej mase futbollistë e Renovës, të cilët vetëm pas 3 minutave lojë në pjesën e dytë, me anë të Bojan Miovskit barazuan shifrat në 1:1, ndërkohë Bashkim Veliu në minutën e 63-të për herë të parë solli në epërsi Renovën në këtë ndeshje.
Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më pas Kozhuvi barazoi shifrat në 2:2, ndërsa në minutën e 79-të ata shënuan edhe golin e tretë, duke rikthyer epërsinë e pjesës së parë.
Megjithatë krejt në fund, mbrojtësi Nenad Mishkovski në minutën e87-të shënoi edhe golin e tretë për Renovën, që ju mundësoi “gjipspunuesve” ruletin e penaltive, aty ku dolën më të suksesshëm.
Argjent Gafuri, Jasir Selmani, Lavdrim Skenderi, Nenad Mishkovski, Florian Kadriu dhe Ilirid Ademi ishin të saktë për Renovën, për të cilën skuadër i vetmi që nuk shënoi ishte Remzifaik Selmani, teksa në anën tjetër futbollistët e Kozhuvit humbën dy penalti, që në fund u treguan të kobshme dhe ju servuan atyre eliminimin që në xhiron e parë të Kupës.