Boreci-Vardari, ndeshja që do të transmetohet në TV, Shkëndija në Kratovë për pikë

E diela në futbollin vendor na dhuron 4 ndeshje nga java e dytë e elitës së futbollit vendor, ku skuadra kampione e Shkëndijës dhe ajo nënkampione e Vardarit do të jenë në kërkim të fitoreve të para, njofton “infOSport.mk”.

Shkëndija në xhiron e parë u mund nga Akademia Pandev në Strumicë, teksa Vardari si vendas u dorëzua përballë Makedonija GJ.P.

Kampionët e Shkëndijës në Kratovë përballë Sileksit shpresojnë të vazhdojnë serinë pozitive ndaj kësaj skuadre dhe të arrijnë deri tek 3 pikëshi, ndërsa Vardari do ta ketë sërish shumë të vështirë, duke pasur parasysh se sot në Veles e pret një atmosferë e nxehtë përballë Borecit.

Këta të fundit pas plotë 18 viteve rikthehen të luajnë në mesin e më të mirëve, ndërsa kjo ka mobilizuar gjithë qytetin që pritet të stërmbush tribunat e stadiumit.

Renova në Tetovë sërish në rolin e vendasit përballë Struga Trim Lum do të tentojë të marrë fitoren e dytë, ndërsa fitoren e dytë mes tyre pritet të diskutojnë edhe dy finalistët e fundit të Kupës, Makedonija GJ.P dhe Akademia Pandevi. Kjo ndeshje për shkak punimeve në stadiumin e Gjorçe Petrovit do të zhvillohet në terrenin kryesor pranë kompleksit të FFM-së.

Leave a Reply