Bojku debuton me gol në futbollin kosovar, Artim Shaqiri me Flamurtarin e tij ndalin Prishtinën

Sot edhe zyrtarisht ka filluar edicioni i ri në elitën e futbollit kosovar. Skuadra kampione e Feronikelit mundi rivalët lokal të Drenicës me rezultatin 4:1, ndërsa në mesin e protagonistëve doli të jetë edhe strugani, Besmir Bojku, që shënoi golin e fundit për “Niklin”.

Bojku shënoi në minutën e 87-të, kur edhe vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, ndërkohë në listën e golashënuesve te skuadra “bardhë e gjelbër” u regjistruan edhe Kastriot Rexha (2 gola) dhe Da Silva. Golin e vetëm për Drenasin në këtë përballje e realizoi, Prokshi.

Flamurtari i Artim Shaqirit në derbin e kryeqytetit, barazoi 1:1 me Prishtinën. Bruqi vetëm pas 3 minutave lojë kaloi në epërsi ekipin “kuqezi”, ndërkohë golin e barazimit për “bardhekaltërit” e Mirel Josës e realizoi Ahmed Januzi.

Një fitore identike si ajo e Feronikelit (4:1), regjistroi edhe Llapi, që në Podujevë mundi ekipin e Vushtrrisë, që këtë vit u inkuadrua në mesin e më të mirëve në futbollin kosovar. Enis Zabërgja realizoi dy gola për ekipin e Tahir Batatinës, nga një gol realizuan Arbnor Ramadani dhe Labinot Osmani, teksa golin e nderit për mysafirët e realizoi, Raboshta që në pjesën e parë, që u mbyll me rezultatin 0:1 në favor të Vushtrrisë, transmeton “infOSport.mk”.

Java e parë në Superligën e Kosovës vazhdon gjatë ditës së nesërme me ndeshjet Drita – Ferizaji, Dukagjini – Ballkani dhe Trepça ’89 – Gjilani. Që të tre ndeshjet startojnë në ora17:00.

Leave a Reply