Shkëndija e ka mbyllur me fitore edicionin 2016/2017 në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”. Skuadra tetovare në ndeshjen e zhvilluar në Tetovë mundi Pelisterin, kundërshtarin e ndeshjes finale të Kupës, ndaj të cilëve shënoi fitore me rezultatin 3:1.
Pelisteri e nisi më mirë ndeshjen dhe vetëm pas 10 minutave lojë kaloi në epërsi me golin e realizuar nga ana e Bazhe Ilijoskit, i cili shënoi edhe golin e tij të 127-të në historikun e ndeshjeve të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë.
Ishte kjo ndeshja dhe goli i fundit me fanellën e Pelisterit në elitën e futbollit vendor, e cila u mbyll në mënyrë jo të mirë, pasi Ilijoski në minutën e 66-të u ndëshkua me kartonë të kuq.
Shkëndija që në këtë ndeshje u paraqit me formacionin e dytë u këndell vetëm gjatë pjesës së dytë, kur në skenë doli sulmuesi i talentuar Shpend Asani, i cili me dy gola të shpejtë brenda vetëm dy minutave (52’, 54’) ktheu rezultatin në favor të Shkëndijës, skuadër kjo e cila në minutën e 78-të me anë të brazilianit Xhufo realizoi edhe golin e tretë.
Ishte kjo fitorja e katërt këtë edicion nga po aq përballje ndaj skuadrës së Pelisterit, e cila megjithatë këtë edicion shënoi fitoren më të ëmbël ndaj skuadrës tetovare, atë në finalen e 17 majit në Strumicë, kur edhe i rrëmbeu Kupën e Maqedonisë, Shkëndijës.
Skuadra tetovare edhe këtë edicion e mbylli në pozitën e dytë, me 70 pikë, 13 më pak se Vardari që sot në ndeshjen e fundit barazoi pa gola ndaj Sileksit.