Klubi futbollistik nga Drenasi, Feronikeli, sot është bërë me trajner të ri. Ditë më parë, ‘Nikli’ ka zyrtarizuar largimin e Zekirija Ramadanit, ndërsa sot ata zyrtarizuan trajnerin e ri malazez Dejan Vukiçeviç.
Ramadani në një prononcim të shkurtër për “KosovaPress”, ka treguar se ende ëshë pa ekip.
Ai ka thënë se ende është në pritje të ndonjë skuadre të re, si në Superligën e Kosovës ashtu edhe jashtë saj.
“Ende nuk ka asgjë konkrete. Nuk jam kontaktuar nga asnjë skuadër as nga skuadrat e Superligës as nga jashtë saj. Jam ende në pritje”, – tha fillimisht Ramadani.
Ndërkaq sa i përket ardhjes së trajnerit malazez tek skuadra e Niklit, Ramadani nuk pati ndonjë koment të veçantë, veçse i uroi suksese në punën e tij të re.
“Nuk kam ndonjë koment për të, vetëm se i uroj suksese me skuadrën e Feronikelit”, përfundoi Ramadani.
Kujtojmë që Ramadani u shkarkua nga Feronikeli pas eliminimit të skuadrës nga Drenasi nga garat evropiane.